Políticos as eleições, Votar livremente e participar activamente da democracia, Vote for Change, Referendo on-line
Fatos Nano

Flet lideri historik i socialistëve, Fatos Nano

Fatos Nano 61%

Fatos NanoTakimi është lënë në një lokal të qetë, në të përpjetën që të çon në fshatin Sauk. Ish-kryetari socialist dhe ish-kryeministri Fatos Nano, vetëm përshtypjen e një ish-i nuk të lë në bisedë. Riangazhimi i tij në çështjet që trazojnë fort jo vetëm të majtën e politikës shqiptare, por edhe spektrin politik dhe krejt aktualitetin shqiptar në përgjithësi, sigurisht ka disa kohë që ka nisur. Për periudhën parazgjedhore, ky rol i ri i një prej njerëzve më të rëndësishëm të 18 viteve pluralizëm përmblidhet, pikërisht në revistën Klan, me mesazhet që zoti Nano jep (jo vetëm për publikun e majtë) në numrin që del një ditë para zgjedhjeve. Afërmendsh, e falënderuam z. Nano që pranoi këtë intervistim të gjallë, krejt ekskluziv, larg xhaketës dhe kravatës, pranë kafeve e cigareve. 
Në fund të fundit, Scripta manent... Fatos Nano sqaron disa pikëpyetje, u jep përgjigje disa çështjeve për të cilat nuk kanë munguar akuzat, konkludon në qëndrimin dhe vlerësimet që ka rreth qeverisjes Berisha dhe, padyshim, rreth PS-së, tashmë prej katër vitesh të drejtuar nga pasardhësi i tij, Edi Rama, pa harruar dhe spektrin e gjithë politikës së majtë. Detajet e intervistës vijojnë më poshtë, por nuk mund të lëmë pa përmendur këshillën drejtuar elektoratit në përgjithësi dhe, atij të majtë në veçanti, me të cilën Fatos Nano e mbyll bashkëbisedimin tonë: Votoni për faktorët e bashkimit dhe jo të përçarjes!

- Zoti Nano, përse pas 18 vjetësh si protagonist kryesor i skenës politike shqiptare, e shihni veten jashtë saj. Kemi parasysh këtu se nuk do të jeni më pjesë e parlamentit të ardhshëm, se nuk jeni në kryesinë e Partisë Socialiste dhe madje, ironikisht, ngjan sikur nuk jeni as anëtar i PS-së?
Në rast se kjo dukuri shfaqet si normaliteti i skenës së sotme politike, jam i prirur ta arsyetoj pak më shumë se kaq. Duket se këto tri të vërteta, pra mungesa ime në listën parlamentare të PS-së, apo në kryesimin e saj, madje madje duket se ju e dini që unë s’paguaj në as kuotat e anëtarësisë (?!), është triptiku që jep pamjen se Partia e sotme Socialiste nuk është më “partia ime”. Dhe, po të hynim në përmbajtje, jo vetëm memoria dhe politika e saj programore nuk ekziston më në marrëdhëniet me publikun dhe me zgjedhësit, por mungesa vdekjeprurëse e disa elementëve jetikë të qenies historike dhe të vitalitetit politik të organizatave të tilla shoqërore si: vlerësimi parimor i themeluesve, sistemimi i përvojës politike, ruajtja e vlerave konkurruese dhe përcjellja e përgjithshme e tyre në brezat e militantëve të rinj, flasin më shumë se, subjekti elektoral që sot është regjistruar me numrin 33, nuk është veçse një organizatë e dyshimtë, e mbyllur, gati malonike, pothuaj sipërmarrëse dhe aspak politike. 
Shkurt, një mekanizëm i korkolepsur interesash informale që lidhën botën e krimit ekonomik me pushtetin e korruptuar. Ndërkaq, si themelues i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe udhëheqjes jo vetmitar i saj për vite me radhë, më duhet të them se pikërisht kjo sfidë: rimarrja, rikthimi, rivendosja e këtyre vlerave dhe të institucioneve e njërës prej partive më kontribuuese në zhvillimin e pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri, përbën motivin më vital të vazhdimit të jetës dhe të militantizmit tim politik. Për rrjedhojë, këtë angazhim aspak të zakonshëm, nuk ka listë, nuk ka kolltuk dhe ka teserë që ta mbajë. 

- Pas humbjes së zgjedhjeve të korrikut 2005, ku krijuat, së pari, precedentin e rotacionit normal politik të pushtetit dhe, së dyti, precedentin e largimit nga drejtimi i partisë, për shkak të humbjes së garës elektorale. Sot, pas katër vjetësh, mendoni se këta precedentë e ruajnë vlerën emancipuese në politikën shqiptare, apo ishin dhe mbeten një dukuri e parakohshme?
Sigurisht që unë nuk isha aspak i përgatitur për të humbur zgjedhjet e tre korrikut 2005. Me këtë dua të them se dy precedentët që ju përmendni, nuk ishin pjesë e një skenari apo plani konspirativ, siç luajnë sot më shumë ata që e dëshironin dhe e nxitën humbjen e PSSH-së në zgjedhjet e para 4 viteve. Nga ana tjetër, precedentë të tillë, mesa duket të precedentë në historinë pluraliste të Shqipërisë, duhet të kenë bërë pjesë në gjithë filozofinë dhe historinë time politike të reformimit të PS-së, të së majtës demokrate dhe në përgjithësi të politikës progresiste në Shqipëri, në krijimin e institucioneve që mbrojnë jetën e partive politike nga abuzimi klientelist, autoritarizmin dhe shantazhi i pushtetit me çdo kusht. 
Pra, ato bëjnë pjesë në moralin e dhënies së shembullit të gardianit të vlerave dhe të institucioneve demokratike, sidomos nga udhëheqësi më i lartë, si mesazh edukimi dh sjelljeje politike për të gjithë militantët dhe anëtarët e tjerë. Kjo sjellje buron, në mënyrë të veçantë, edhe nga logjika dhe arsyetimi i krejt historisë dhe sjelljes politike të shqiptarëve në shekullin e fundit, kur, distanca nga bota e qytetëruar perëndimore, u krijua sidomos për shkak të qëndrimit të dhunshëm të “liderëve” ndaj pushtetit politik, shtetëror, të klanit apo të parave; thuajeni po deshët, edhe për shkak të sjelljes prej cubash, haxhiqamilësh, saliramistësh, apo tim-tom kodoshësh të lidërve populistë. 
Më lejoni ta shpreh më shkoqur këtë që thashë më lart me dy argumente: Sot, largimi nga drejtimi politik kur humbet garën elektorale, vlerësohet nga të gjithë si një nga standardet e mekanizmit më të rëndësishëm të funksionimit demokratik të partive dhe të shtetit. Po kështu siç, për hir të Zotit, po shprehet edhe pasuesi im në drejtimin e qeverisë, dorëzimi jo thjeshtë paqësor i pushteti me zgjedhje, por edhe përcjellja me inventar dhe akrivë të plotë e punëve të shtetit dhe e programeve kombëtare të zhvillimit, e marrëveshjeve dhe marrëdhënieve me përfitime e detyrime reciproke të shtetit tënd me partnerët ndërkombëtarë, shkurt transmetimi me “procesverbal” i memories dhe detyrës qeverisëse nga humbësi tek fituesi i zgjedhjeve, po pranohet gjerësisht, jo vetëm si standard normaliteti kushtetues, por edhe si detyrim i krejt politikës përfaqësuese për të kapërcyer, ndoshta, shkakun kryesor të normalitetit të institucioneve të pushteti dhe të politikës në 18 vjet demokraci në Shqipëri. 
Kam parasysh jo vetëm katastrofën kombëtare që shoqëroi ndërrimin e pushteteve në krizën e rëndë të vitit ’97, por edhe dëmtimin e madh të pasurisë kombëtare të trashëguar, të resurseve ekonomike dhe të eksperiencës qeverisëse e politike të krijuar në pluralizëm nga sjellja brutale e opozitës së djeshme, që lëvizte nga mosnjohja e humbjes në zgjedhje, deri te pucet e armatosura për marrjen e pushtetit pa zgjidhje. Nga kjo pikëpamje, më lejoni të kërkoj ndjesë që “nuk munda” t’i shfaq më herët shembujt e respektimit dhe krijimit të këtyre precedentëve të domosdoshëm për funksionimin normal të shoqërive demokratike, sepse në ballafaqimet elektorale të viteve ’90-të u burgosa si kundërshtar politik, ndërsa në ato të viteve 2000 i humba zgjedhjet jo për arsye organike të qeverisjes dhe të sjelljes sime politike, por vetëm pas tetë vjet qeverisjeje që e transformoi Shqipërinë nga rënia e shtetit tek asocimi me BE-në dhe partneriteti me NATO-n. 
Më në fund duket se sjellja ime politike, jo vetëm ka qenë vendimtare për krijimin e këtyre precedentëve, por e ka larguar dukshëm dhunën e rrugës në marrëdhëniet e politikës me shtetin, ndërsa ime, nuk ka arritur të largojë autoritarizmin e dhunshëm nga qeverisja dhe politika, si e mazhorancës ashtu edhe e opozitës. Mbaj mend, një ambasador i rëndësishëm në Tiranë më pyeste paradokohësh se, si shpjegohet qe mungon tani dhuna e rrugës. I thashë: “Mungon sepse organizatorët e saj janë larguar nga rruga dhe kanë hyrë në zyra”!! Më vjen keq apo mirë, nuk jam i sigurt ta pohoj, por ndoshta aleati im më besnik në këtë sjellje politike nuk paska qenë politika, por shoqëria në përgjithësi dhe shoqëria civile në veçanti. 

-Për ndjekësit e zhvillimeve politike, pas largimit tuaj pritej lançimi i Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste. Ju e kishit parashikuar këtë, e prisnit, e kishit llogaritur?
Natyrisht, arrivizmi i Ramës për të kapur kreun e PS-së nuk ishte i papritur; ndoshta ishte llogaritur. Prandaj mund të them se, megjithëse i parashikueshëm, për mua nuk ishte i pashmangshëm. Sigurisht, në qoftë se do të isha krejt objektiv në vlerësimin e kësaj historie, Edi Rama nuk është lançimi im. Madje, më duhet të shpjegoj më në fund që, unë isha tërhequr disi nga përpjekja shumëvjeçare e lançimit të “liderëve: të zbuluar në mjedisin politik të socialistëve, pas mossuksesit me dy ish kryeministra, apo me integrimin rinovues në udhëheqje të figurave me prejardhje dhe eksperiencë të ndryshme politike apo civile. 
Duke hequr dorë nga drejtimi i partisë për shkak të humbjes së zgjedhjeve, mbeta thellësisht i interesuar për të kuptuar dhe vlerësuar, në rrjedhën e ngjarjeve që do të pasonin, se sa ambicie të vërteta lidershipi dhe mbartës të përgjegjshëm të tyre do të mund të kishte krijuar sjellja ime gjithëpërfshirëse dhe kolegjiale në ndarjen e lidershipit me forumet dhe anëtarësinë gjatë përvojës 15 vjeçare të drejtimit të PS-së. Ajo që nuk prisja, ishte pikërisht kjo që ndodhi: Që në udhëheqjen e PS-së së përkëdhelur, rritur dhe edukuar me shumë kujdes për vite me radhë, të mungonin numrat 1 të vërtetë, dhe që, në amullinë e një morie të vegjëlve (me numër rendor më të madh se njëshi), të dominonte mungesa e përgjegjësisë së lidershipit dhe vlerësimit të eksperiencës kolegjiale demokratike, tulatja, frika dhe dorëzimi përballë arrivizmit të rrezikshëm, siç po shfaqet, të një masoni të pasuruar si kryetari pa platformë i kongresit të 2005-ës dhe kryetarit pa program të zgjedhjeve të 2009-ës. Në mënyrë paradoksale, por krejt të ndryshme, u përsërit historia e palimiskave dhe lenkaçukove, pas vdekjes politike të Enver Hoxhës!!

-Z. Nano, ju jeni politikani që udhëhoqi e keru tranzicionin nga Partia e Punës në Partinë Socialiste, në një organizatë politike moderne, anëtare të Internacionales Socialiste, ku dominonte toleranca, bashkëjetesa e të ndryshmëve, gjithëpërfshirja e kontributeve militante mbi bazë meritokratike dhe, sidomos hapja institucionale e partisë, nga viti 1997 e mbrapa, ndaj shoqërisë civile, me prurje si Mejdani, Islami, F. Klosi, Leskaj, Rama etj...etj. Si e komentoni sot kategorizimin që ju bëhet si “konservator” dhe përfaqësues i “politikës së vjetër”? Ç’mendim keni për “politikën e re”, thënë ndryshe kali i betejës elektorale të kryetarit aktual të PS-së sot e kësaj dite?
Përderisa ka koherencë brenda pyetjes që ju bëni, lidhur me frymëzimin tim demokratik e liberal dhe këtyre prurjeve, përgjithësisht pozitive, në politikën novatore që impononte reformimi i thelë i së majtës dhe shoqërisë tradicionale shqiptare në kontakt me demokracinë pas 5 dekadash, atëherë më lejoni të shtoj se, ky i imi mund të jetë vetëm konservatorizëm si ai i popullorëve në drejtimin e Euoropës së Bashkuar, apo të them se një politikë e tillë “e vjetër” duhet mbrojtur si vera e vjetër përballë rrebesheve atmosferike. Dhe më në fund, nëse ndonjë nga prurjet e mësipërme mendon se me etiketën e “politikës së re” mund të likuidojë gjithë këtë sistem vlerash konkurruese edhe në zhvillimin e sotëm global, atëherë me këtë kalë beteje kthehemi te Rosinanti përballë betejës së nesërme elektorale. 



-Zoti Nano, të dielën shqiptarët do të votojnë për Kuvendin e ri dhe qeverinë e re. Cili është mesazhi që ju u drejtoni atyre dhe, sidomos, të përdorim një shprehje tuajën, “atyre që zemra u rreh në të majtë”? 
Është mesazhi që buron nga gjithë jeta dhe aktiviteti ynë i përbashkët për vite me radhë. Është mesazhi i besimit te fitorja, te vitaliteti i kontributeve të së majtës në demokratizimin, integrimin dhe zhvillimin europian të Shqipërisë, është besimi i patundur dhe veprimi i pakursyer për rindërtim, bashkim dhe rikthim në udhëheqje të vendit, të frontit socialist e progresist. Shkurt, të dashur miq, votoni për faktorët e bashkimit dhe jo të p&eum. ;rçarjes!

 

Original source: Gazeta SOT - 27 June 2009


martina -
Bandeira-lono spam

Não ElectionsMeter é responsável pelo conteúdo do argumentos. Por favor consulte sempre o usuário ou autor do argumento. Todos os argumentos ou qualquer texto publicado na electionsMeter deve incluir o nome original do autor e as referências à fonte original do texto. Os usuários são obrigados a seguir a lei de direitos autorais. Por favor, leia com atenção as regras do uso do site.

Voltar para votação: > Albania > Os políticos > Fatos Nano
 
load menu